VIZITA E DIJETARËVE
Pasi Jezusi lindi në Betlehemin e Judesë, në kohën e mbretit Herod, ja, prej Lindjes ia behën në Jerusalem disa Dijetarë, 2 e pyetën: “Ku është foshnja e lindur, që do të bëhet mbreti i judenjve. Sepse e pamë yllin e tij duke lindur dhe erdhëm t’i shprehim nderimet tona.”
3 Mbreti Herod, posa i dëgjoi këto fjalë, u shqetësua vetë e me të edhe mbarë Jerusalemi. 4 I bashkoi të gjithë kryepriftërinjtë e skribët e popullit dhe i pyeti se ku duhej të lindte Mesia. 5 Ata iu përgjigjën: “Në Betlehemin e Judesë, sepse kështu ka shkruar profeti:
6 “E ti, o Betlehem tokë e Judës,
ti nuk je kurrsesi më i parëndësishmi
ndër qytetet princërore të Judës,
sepse prej teje do të dalë prijësi,
që do ta udhëheqë popullin tim, Izraelin.”
7 Atëherë Herodi i thirri fshehtazi Dijetarët dhe me kujdes mori hetime prej tyre rreth kohës kur u ishte dukur ylli. Pastaj i dërgoi në Betlehem duke u thënë: 8 “Shkoni dhe bëni me kujdes kërkime rreth fëmijës. Kur ta gjeni, më lajmëroni që të vij edhe vetë e t’i shpreh nderimet e mia.”
9 Ata, si e dëgjuan mbretin, u nisën. Dhe ja, ylli që kishin parë në lindjen e tij, u shkonte përpara derisa zuri vend aty ku ishte fëmija. 10 Ata, kur e panë yllin, u bënë shend e verë. 11 E, si hynë në shtëpi, panë fëmijën me Marinë, të ëmën e tij, ranë përmbys dhe i shprehën nderimet e tyre. Pastaj hapën thesaret e veta e i dhuruan: ar, kem e mirrnë. 12 Të mësuar në ëndërr prej Hyjit të mos ktheheshin te Herodi, u kthyen një rruge tjetër në vendin e vet.
( Mt. 2, 1 - 12)